Me emocione të shumta megjithatë në fund kanë triumfuar basketbollistët shkodranë. Gjysmëfinalja e tretë e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe ekipit të Klubit Tirana është fituar nga e para me rezultatin 77-66. E zhvilluar pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ajo është ndjekur nga një numër i madh sportdashësish që kishin mbushur plot e përplot atë. Ndeshja në fakt nuk ka filluar mirë për djemtë e trajnerit Gjeçaj. Ata duken nervozë në lojën e tyre dhe nga kjo kanë fituar basketbollistët miq. Pas përpjekjesh të vazhdueshme, perioda e parë do të mbyllej në barazim 19-19. Kur pritej që në të dytën loja e Vllaznisë të rritej, nuk ndodh kështu. Klubi Tirana është më i qetë dhe në gjuajtjet nga distanca dallohet Lasku e Ago që kalojnë në avantazh skuadrën e tyre. Edhe loja poshtë tabelës nuk është në lartësinë e duhur për shkodranët. Për rrjedhojë perioda e dytë mbyllet 21-17 për Klubin Tirana që shkon në pushimin e ndeshjes me 4 pikë epërsi, 40-36. Në pushim trajneri Gjeçaj kuptohet që kishte se çfarë t’u thoshte sportistëve të tij megjithatë edhe perioda e tretë nuk nis shumë mirë teksa bardheblutë e thellojnë deri në 8 pikë epërsinë. Por këtu ndryshojnë gjërat. Në skenë del Nikolla Gjokoviç i cili pikërisht në momentin e duhur shënon dy trepikësha rradhazi dhe rezultati barazohet 45-45. Që këtu e prapa në fushë është vetëm Vllaznia. Edhe Jeftiç është i saktë dhe perioda e tretë mbyllet 19-13 për vendasit. Në të katërtën ata e thellojnë edhe më shumë rezultatin duke e fituar edhe atë 19-13 dhe e gjithë ndeshja do mbyllej me fitoren 77-66 për Vllazninë që kësisoj me këtë fitore është skuadra që shkon në finale. Ja si janë shpërndarë pikët tek ekipi shkodran në ndeshjen e sotme:
Nikolla Jeftiç         24 pikë
Nikolla Gjokoviç     22 pikë
Ervin Berdica        12 pikë
Gjon Ndoja           10 pikë
Zharko Dragiçeviç    7 pikë
Damian Bekteshi     2 pikë

Ndeshjen e sotme e ka ndjekur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit Avni Ponari i shoqëruar nga sekretari i kësaj Federate Korab Llazani ndërkohë që nuk ka munguar edhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër Ritvan Troshani dhe personalitete të tjera të jetës politike dhe asaj sportive. Per t’u veçuar eshte edhe mbeshtetja shume e zjarrte qe i kane bere ekipit shkodran grupimi i tifozeve “Vllaznit Ultras” te cilet kane nje kontribut shume te madh ne kete fitore dhe ne krijimin e nje ambjenti shume festiv ne pallatin e sportit.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)