Të premten që vjen do të nisin ndeshjet edhe për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Fillimisht ndaj Tiranës në ndeshjen e prapambetur të kampionatit dhe një javë më vonë pastaj ndaj Kamzës për kupë. Skuadra shkodrane ka nisur përgatitjet që me datë 3 janar dhe sipas trajnerit Bledar Gjeçaj, ajo tashmë po bëhet gati për këto sfida të rëndësishme të cilat do të mundohet t’i kalojë me sukses. “Po bëhemi gati për nisjen e ndeshjeve zyrtare të këtij viti.

Gradualisht po hyjnë në punën me topin në aspektin tekniko- taktik sepse duhet të përgatisim tashmë ndeshjen e parë me Tiranën që do të luhet javën e ardhshme, ndeshje kjo e prapambetur e kampionatit dhe një javë më vonë, atë të kupës me Kamzën. Do mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme ndonëse kemi patur edhe ne problemet tona”- ka thënë Gjeçaj.Pavarësisht se kishte shpresa për ndërhyrje në merkato, duket se ekipi i Vllaznisë nuk do të bëjë asnjë lëvizje gjatë janarit, çka do të thotë se shanset për të fituar ndonjë trofe këtë sezon duken shumë të pakëta.

© shkodrasport.com