‘Na duhet bari 28 milimetra i gjatë në fushën stërvitore”, Kjo ka qenë kërkesa që ka çuditur stafin e hotelit në Oberursel pranë Frankfurtit ku kuqezinjtë po përgatiten për ndeshjen kundër Islandës, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020.  

Një kërkesë që ka ardhur pasi përfaqësuesja ndërroi terren stërvitor si pasojë e largësisë nga hoteli të stadiumit të Frankfurtit.

Pasi u kuptua që ai terren stërvitor ishte shumë larg për përfaqësuesen që të bënte edhe dy herë në ditë vajtje-ardhje, pronarët e hotelit që kishin vënë në dispozicion fushat gjatë këtij grumbullimi u interesuan dhe gjetën atë të skuadrës së FC Oberstedten, një klub që merr pjesë në kampionatet rajonale.

“Shqiptarët kërkonin që bari të ishte i gjatë 28 milimetra. Ndaj bari u pre në një kohë të shkurtër saktësisht në këtë gjatësi, në mënyrë që skuadra të zhvillonte dy stërvitje në ditë aty”, shpjegojnë nga Gjermania për këtë kërkesë të stafit kuqezi.

Me sa duket, përgatitësit atletikë të stafit të kombëtares mendojnë se me këtë gjatësi bari do të minimizojnë problemet fizike të futbollistëve ndërsa terreni do të jetë thuajse i ngjashëm me atë të stadiumit në Reikjavik ku do të luhet ndeshja. /vipsport/