Në një Botëror ku emrat e mëdhenj janë rrëzuar njëri pas tjetrit, asnjëri nuk ka bërë më shumë bujë se ai i Gjermanisë. Kampionët e Botës në fuqi zhgënjyen tifozët jo vetëm se u eliminuan në grupe, pro edhe se nuk dhanë asnjëherë një paraqitje bindëse.

Mediat gjermane prej ditësh kërkojnë arsyet e krizës dhe duket se kanë zbuluar se arroganca e lojtarëve këtë radhë kishte kaluar çdo limit.

Të bindur se do të ishte një rrugëtim i qetë drejt finales, “Bild” tregoi se ata kalonin netët në grumbullim duke luajtur me videolojëra deri në orët e vona, kryesisht me “Fifa 18” dhe “Call of Duty – World War II”.

Të acaruar nga kjo situatë, menaxheri Bierhof dhe trajneri Lëv kishin arritur deri aty sa kishin hequr internetin nga dhomat e futbollistëve, për t’i ndaluar që të rrinin deri pas mesnate duke zhvilluar turne online me miq të tyre nga Gjermania.

Ndërkohë, gazeta “Die Welt” tregon se ky grumbullim është përjetuar në mënyrë amatore nga futbollistët, një situatë që nuk do të lejohet më në të ardhmen, siç u shpreh Lëv që bëri të ditur se do të kishte ndryshe drastike nga tani e tutje.

“Ishte një skuadër që ngjante më shumë me një tufë fëmijësh me pushime apo me një festë me pizhame, më shumë se një ekip me profesionistë me misionin për të fituar”, shkruante gazeta gjermane, duke bërë të qartë se dështimi i Gjermanisë këtë radhë kishte qenë pikërisht te mentaliteti me të cilin kishin përballuar Botërorin. /vipsport/