Kanë përfunduar 11 takimet të raundit të 7-të për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022. Në Grupin J, Gjermania vazhdon marshimin dhe tani e sheh veten vetëm një hap larg sigurimit edhe matematikisht.

Përballë Rumanisë “pancerat” fitojnë me shifrat 2-1. Rumunët do të kalonin të parët në avantazh në minutën e 9′ me anë të Hagit.Fantazisti i Bayernit të Mynihut, Serge Gnabry riktheu barspeshën në të 52-tën, pas një asisit të kapitenit të Dortmundit, Marco Reus, ndërsa 10 minuta para fundit ishte Thomas Muller që gjeti edhe golin e dytë për gjermanët, duke kompletuar përmbysjen.

Në Grupin G, Holanda fiton 0-1 ndaj Letonisë në transfertë.Davy Klaassen shënoi që në minutën e 19’, ndërsa më pas holandezët mbrojtën me fanatizëm rezultatin, duke marrë një 3-pikësh, që i ngjit përkohësisht në krye të grupit G me 16 pikë, dy më tepër se Norvegjia e vendit të dytë.

Në grupin H, Kroacia dhe Rusia vijojnë të ecin me hap të njëjtë, duke kryesuar me nga 16 pikë secila pas 7 ndeshjeve të luajtura deri tani. Ballkanasit ia dolën të triumfojnë 0-3 mbrëmjen e sotme në transfertë ndaj Qipros, ndërsa Rusia mori 3 pikët falë suksesit minimal 1-0 ndaj Sllovakisë.