Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, mendon se skuadra e tij në fund të këtij edicioni do të marrë titullin kampion për të kaluar Partizanin e vendit të parë. Ai insiston se ka një ekip më të mirë se ai kryeqytetas, por rrethanat e kanë bërë që të jetë në ndjekje.

“Kemi pasur vështirësitë tona, si infrastruktura, kemi luajtur ndeshjet jashtë dhe jemi prapë në vend të dytë pas Partizanit,. Kjo tregon që kemi ekip më të mirë se Partizani, edhe pse luajmë një herë në Kamzë, Elbasan a Shkodër. Jemi për titull dhe besoj se do të arrijmë t’ia dalim”, tha ai në “Vizion Plus”.

“Kemi lojtarë që e durojnë presionin, por pikët japin presion. Kërkohen të fitohen ndeshjet për të realizuar objektivin që është titulli kampion. Kërkesa e llogarisë është tjetër e presioni është tjetër.

Në janar janë bërë prurje shumë të rëndësishme të Kukës, po ato nuk i vë dot unë në fushë, presidenti nuk i bën. Është stafi që di se ku vendosen, ku e ka vendin lojtari, t’ia tregoj unë skemat e lojës stafit? Unë i kam dhënë cfarë kanë kërkuar. Dua stol, ja ku e kë. Dua këtë, këtë, këtë, ja ku i ke. Pastaj pse nuk realizohet e kërkoj. Të gjithë themi se Kukësi i ka mundësitë të ngjitet, mund të gabohet, se gabimi pjesë e lojës është.

Ne Partizanin e kemi lënë përpara si punën e biçikletës. Por ne nuk e shohim atë, shohim punën tonë, fitojmë ndeshjet tona. Partizani vazhdon derisa t’i mbajnë gjunjët, po i lanë do rrijë, po nuk i lanë do vazhdojë. Ne shohim punën e ekipin tonë. Finishi do tregojë se kush do të mbajë titullin. Është në garë edhe Teuta, nuk është larg. Por unë them se në fund Kukësi do ngrejë trofeun’, tha Gjici. /vipsport/