Presidenti i Kukësit Safet Gjici ka qenë pjesë e emisionit “Zona Gol” në Supersport, ku ka folur për ecurinë e Kukësit, të shkuarën dhe të ardhmen e klubit të tij, por edhe tema të tjera interesante.

Si zakonisht, Gjici është një spektakël batutash, duke nisur nga sfida e radhës kundër Partizanit, sfidë vendimtare ndoshta për fatet e titullit: “Premio? Është temë e bezdisshme, ju gazetarët këtë punë keni, para ndeshjes e pas ndeshjes veç pyesni a do ketë premio. Ja ku po ju them që do e lëshoj dorën në premio, sepse do fitojmë ndaj Partizanit javën e ardhshme”.

Çështja Musolli: “Musolli do të jetë lojtar i Kukësit, deri sa të largohet nga futbolli. E takova lojtarin fillimisht dhe ai më kërkoi që ndoshta të qëndronte në Kosovë për t’u rikuperuar. Musollin kurrsesi nuk mund ta largojmë, pasi ai ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm, prej shtatë vitesh. Ndoshta ishte një keqkuptim i Musollit, asnjëherë nuk i kam thënë që duhej të ikte. Ai do të qëndrojë deri në fund të karrierës me Kukësin”.

Fitorja me Skënderbeun: “Më ka shijuar shumë, sepse me presidentin e Korçës ndihem shumë i qetë kur kemi ndeshje. Më ka munguar kohët e fundit, sepse jemi mësuar të bëjmë disa replika brenda kornizave të futbollit. Jemi konkurrentë, por edhe miq me njëri-tjetrin. Uroj që Skënderbeu dhe presidenti Takaj të kalojnë problemet që kanë pasur. Uroj që Skënderbeu, por edhe asnjë ekip tjetër shqiptar, të mos dënohet. Skënderbeu dhe Kukësi i kanë dhënë tonin kampionatit në vitet e fundit, ndërsa ato skuadra që kanë qenë të mëdha tashmë nuk janë aty ku duhet, siç është rasti i Tiranës, për të cilën më vjen keq”.

Refik Halili dhe problemet e tij te Tirana: “”Si mund t’i thonë disa tifozë Refik ik? Ai hedh paratë e familjes, është në shtëpi të tij, dalin disa persona e i thonë ik ti, se nuk na pëlqen ne? Edhe po gaboi, paratë e tij humbet, jo të tifozeëve, me gjithë respektin, sepse ata janë lojtari numër 12″.