Ishte ndoshta afrimi më me peshë i Superiores në merkaton dimërore dhe nga i cili pritet shumë tek Vllaznia. Fjala është për Bekim Balajn që u rikthye në kampionatin tonë dhe në ekipin e tij ku u formua pas më shumë se 10 vitesh. Shtatlarti i kombëtares la Turqinë ku u aktivizua në pjesën e parë të sezonit për të ardhur në Shkodër.
Shpresat tek 32-vjeçari janë shumë të mëdha duke parë edhe vetë cilësitë që ai mbart. Ish-futbollisti edhe i Tiranës në Superiore tashmë ka marrë edhe minutat e tij të para. Në ndeshjet kundër Laçit dhe Bylis është nisur nga stoli. Ku ndaj laçianëve luajti për 33 minuta e ndërsa 37 minuta iu dhuruan në duelin përballë ballshiotëve në kampionat.
90 minuta të plota, Balaj i zhvilloi ditën e hënë në ndeshjen e humbur nga Vllaznia në shifrat 3-2 kundër Erzenit. Realisht që shkodrani nuk shënoi në takimin përballë shijakasve, por shërbeu disa herë për shokët e skuadrës.
Duke krijuar edhe hapësirat e duhura për ta, që ndoshta nuk u shfrytëzuan siç duhet. Patjetër nga Balaj pritet akoma më shumë nga tifozeria dhe stafi i Vllaznisë. Madje duke nisur që nesër të gjithë shpresojnë që ai të zhbllokohet me gola.
Kjo pasi Vllaznia do luajë ndeshjen e kthimit të kupës për raundin e 1/8 kundër Bylis. Ku shkodranët kanë fituar me rezultatin 0-2 në transfertë. E me një kualifikim thuajse të arritur, sytë nesër do jenë tek Balaj. I cili shihet si njeriu që mund të udhëheqë Vllazninë drejt titullit aq të dëshiruar dhe që mungon prej sezonit 2000-01 në Shkodër.
Endri ÇINARI