Vendimi për të gjobitur Vllazninë për shkak të pjesëmarrjes së një numri të madh tifozësh në stadium gjatë ndeshjes ndaj Partizanit nuk i ka befasuar drejtuesit e klubit shkodran. Më shumë se 2 milionë lekë të vjetër, në Shkodër ndihen keq vetëm për faktin se vendimi i parë që merret nga Komisioni i Disiplinës për shkeljen e protokollit sanitar këtë sezon, i ndodh Vllaznisë.

“Mjafton të shikoni derbin Tirana-Partizani dhe s’ka nevojë për komente. Merrni videot e ndeshjes dhe e kuptoni mirë se çfarë shembulli është”. Kështu e nisi dje bisedën për “Panorama Sport” kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Duke folur lidhur me vendimin e Disiplinës, ajo pret me kuriozitet tashmë nëse ky standard do të aplikohet për të gjithë në vazhdimësi.

VENDIMI – “Ideja është që ne do ta vlerësojmë këtë vendim në aspektin sportiv. Sigurisht, do të verifikojmë nëse ky është një standard që do të aplikohet nga të gjithë. Në fund të fundit, dy më shumë apo dy më pak tifozë nuk çojnë peshë…

Stadiumi i Shkodrës është shumë i madh, i dyti në vend sa i përket kapacitetit. Më vjen keq që ndodhi kështu, sepse nuk mendoj se Vllaznia është problematike për këto raste, përkundrazi. Duket sikur bëhemi ne të parët shembull për gjithçka. Në të gjitha stadiumet ka probleme, sepse realisht është shumë e vështirë ky lloj organizimi.

Imagjinoni, ne si Vllazni vetëm si staf i kalojmë 20 vetë. Klubi ka një bord mbikëqyrës, drejtues, financues etj., dhe pa futur këtu stafet teknike, ndihmëse apo Policinë e Shtetit dhe atë bashkiake. Vetëm kaq bëhen gati 100 vetë që janë prezent në stadium.

Më duhet ta pohoj që në ditën e ndeshjes Vllaznia-Partizani, ka qenë një prani mbi normat e lejuara. Kjo është e vërtetë, por nuk ishim ne të këqijtë! Ju thashë, mjafton të shikoni derbin Tirana-Partizani dhe s’ka nevojë për komente. Vllaznia nuk mund të bëjë viktimën në asnjë rast”, është shprehur fillimisht kryebashkiakja e Shkodrës.