Shumë emra të njohur legjendash, por edhe yjesh aktualë të futbollit kanë reaguar pas fitimit të Topit të Artë nga Lionel Messi, të hënën mbrëma në ceremoninë e organizuar nga France Football në Paris.

Lionel Messi, Aitana Bonmati, Emiliano Martinez dhe Jude Bellingham ishin fituesit e mëdhenj të ceremonisë së 67-të të Topit të Artë që u zhvillua të hënën në mbrëmje në “Theatre du Chatelet” në Paris.

Megjithatë, fituesi më i madh padyshim ishte ylli argjentinas, Messi, i cili fitoi Topin e Artë të tetë në histori, duke vazhduar të lë trashëgimi në çmimin më të madh individual në botën e futbollit.

Pasi Messi mori trofeun e madh individual, shumë ish-bashkëlojtarë të tij nga koha e Barcelonës dhe Paris Saint-Germain reaguan duke e uruar.

Më poshtë janë disa nga reagimet më të mira për fitimin e Topit të Artë të Leo Messit nga superyjet e futbollit.

“Urime edhe një here Leo, më i miri në botë!!! Shumë i lumtur për ty vëllai im.. Një përqafim i madh”, ka shkruar Ronaldinho.

“I paepur!”, ka shkruar Andres Iniesta, ndërsa Luis Suarez ishte më fjalë shumë, duke shkruar: “Çmim i merituar mik, fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar historinë që ke shënuar dhe do të vazhdojë të shënojë në futbollin botëror”.

Dy ish-bashkëlojtarët te Barcelona dhe bashkëlojtarët aktual te Inter Miami, Sergio Busquets dhe Jordi Alba, nuk kishin si të mungojnë me urimet e tyre.

“Urime! Krenar për ty dhe gjithçka që ke arritur vit pas viti”, ka shkruar Busquets, ndërsa Alba ka shtuar: “Sa i mrekullueshëm që je, Leo!! Urime për këtë Top të Artë të ri!! Je më i miri”.

Urime për Messin pati edhe nga Neymar, me të cilin luajti te Barcelona dhe PSG, por edhe nga Kylian Mbappe.

Neymar ka shkruar “Urime Leo, je më i miri”, ndërsa Kylian Mbappe e uroi gjithashtu duke postuar: “Urime Leo për çmimin tuaj. Ju e meritoni atë”. /Telegrafi/