Nga Endri ÇINARI

Qatip Osmani do jetë trajneri i ri i Vllaznisë pas shkarkimit të Memellit. Një lajm që tashmë është zyrtarizuar prej dy ditësh dhe ku nesër 54-vjeçari do bëjë debutimin në stolin kuqeblu. Por në vitet e fundit, ish-sulmuesi do jetë trajneri i tretë që vjen nga Maqedonia e Veriut për ekipin shkodran.

Para tij në sezonin 2019-20, ai që ishte në krye të pankinës së Vllaznisë ishte Mirsad Jonuz. Një sezon që në fund pa kuqeblutë të triumfonin vetëm në Play Off kundër Besëlidhjes. Ku edicioni ishte me të vërtetë i vështirë për klubin 9 herë kampion të vendit. Megjithatë Jonuz nuk është i vetmi nga vendi fqinj që ka drejtuar Vllazninë.

Në sezonin e shkuar do ishte Goce Sedloski që do ishte pjesë e Vllaznisë. Më saktë në pjesën e dytë të sezonit ku ish-trajneri kampion me Shkupin nuk arriti atë çfarë pritej. Tani “i treti i vërteti” shpresohet të jetë Qatip Osmani, i cili në shpinën e tij ka 5 trofe si trajner, ku 3 prej tyre janë tituj kampionë me Shkëndijën.

Koicidenca është se edhe Osmani do debutojë në stolin e Vllaznisë kundër Erzenit. Ashtu siç ndodhi sezonin e shkuar me Sedloskin, i cili debutoi në një ndeshje Vllaznia-Erzeni e fituar 3-1 nga shkodranët. Tashmë në Shkodër shpresojnë që jo vetëm debutimi, por edhe vazhdimësia e Osmanit në krye të stolit kuqeblu të jetë pozitive në vijimësi të sezonit.