Kthimi i Ernest Gjokës te Kukësi ka qenë një nga temat më të diskutuara të këtij sezoni, për mënyrën se si kushte qenë raporti i tij me presidentin Safet Gjici pas largimit nga verilindorët. Por Gjoka tregoi në “Procesi Sportiv” se asgjë nuk kishte ndryshuar mes të dyve.
“Nuk kam pasur asgjë me presidentin dhe e kam thënë edhe më parë që largimi im atëherë ishte se nuk arrita objektivin në Champions.
Nuk jam nga ata që kam frikë nga presidenti, unë jam këtu se jam i zoti. Nesër mund të ikim e mbetemi pa punë, por problemi i trajnerit janë rezultatet. Je në punë kur ke rezultatet”, tha Gjoka.
Ai e cilësoi Kupën e fituar me Kukësin si minimumin e mundshëm për këtë sezon me shumë probleme. “Ky ishte minimumi, meqë nuk ia dolëm dot me kampionatin e dështuam, kjo ishte e vetmja gjë që mund të quante të realizuar objektivin, mund ta cilësonte të pranueshëm”, vijoi tekniku i cili në analizën e tij e sheh si pozitive rritjen e futbollit shqiptar.
“Mendoj se në 10 vitet e fundit futbolli këtu ka bërë hapin më të madh para të historisë së tij. Kjo sepse mos ta harrojmë që kemi shkuar dy herë në grupet e Ligës së Europës e nuk është pak. Vit pas viti ka një rritje të nivelit të lojës”, tha ai. /vipsport/