Basketbolli i Vllaznisë Gjon Ndoja i dëmtuar rënë katër muaj më parë gjatë një ndeshje, është detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për të cilën ka paguar plot 3500 euro nga shpenzimet e familjes së tij.

Ai tashmë ndodhet në shtëpi dhe ka nisur periudhën e rehabilitimit por ndjehet i zhgënjyer për harresën që i kanë bërë drejtuesit e basketbollit dhe të klubit. Këtë gjë e ka shprehur edhe në një prononcim për “Star Plus TV” kur deklaron:

“Jam dëmtuar në gju gjatë ndeshjes me Teutën në Shkodër. Kam këputur ligamentet e gjurit dhe zgjidhja e vetme ishte operacioni. Kam qëndruar gati katër muaj pa e bërë operacionin sepse mendova që ata të cilët janë pranë sportit, do më ndihmojnë. Mendova se njerëzit që deklarojnë se do i qëndrojnë pranë sportit dhe do përkrahin sportistët do ta bejne ate, por kuptova shumë gjëra dhe më kanë bërë të ndihen keq.

Ato tjetër gjë thonë dhe tjetër gjë bëjnë. Të paktën të mos më braktisnin dhe të më jepnin atë që më takonte dhe jo të më dalin kundër. Kam 15 vjet që derdhi djersë për Vllazninë, për këtë qytet dhe kam dhënë njëfarë kontributi në këtë sport dhe nuk besoj se kisha meritu një sjellje të tillë, një braktisje në këtë lloj mënyre.

Vetëm operacioni më ka kushtuar 3500 euro, pa të keqen e pjesës pas tij sepse minimumi 6-8 muaj duhen për rikuperim dhe ka një kosto të madhe. T’i mbulosh vetë gjithë këto shpenzime, është super absurde. Më kanë trajtuar me një indiferentizëm shumë të madh”

Ndoja pas operacionit në gjurin e tij nuk ka marrë të paktën as një mesazh nga ata që e kishin për detyrë edhe t’i mbulonin shpenzimet. “Përveç njerëzve të mi, shokëve të afërt, ish- presidentit Sokol Dibra të cilët më kanë qëndruar pranë, të tjerët as nuk janë kujtuar. Asnjë drejtues nuk ka menduar për mua, qoftë edhe me një sms apo telefonatë”- shton Ndoja.

Pas 15 vitesh karrierë të suksesshme, me disa trofe të fituar Ndoja edhe pse ka ende shumë për të dhënë po mendon tërheqjen nga basketbolli pasi historia e braktisjes ndaj tij e ka bërë që të ndryshojë shumë..

Gjon Ndoja është pjesë e një brezi cilësor basketbollistësh të cilët u rritën tek Vllaznia dhe ka fituar 3 tituj kampionë si dhe 1 Kupë të Shqipërisë në vitet e fundit por gjithë ky kontribut duket se është shumëzuar me zero.
© shkodrasport.com