Mbrojtësi Sedat Berisha ka humbur gjyqin në FIFA ndaj ish-ekipit të tij, Vllaznisë. 31-vjeçari u kërkoi shkodranëve 3 paga të prapambetura, gjithashtu edhe dëmshpërblimin për prishjen e njëanshme të kontratës përpara aftit.

Shuma të cilën Vllaznia duhet t’i paguante Berishës, në rast se humbiste gjyqin, e gjithë fatura, mund të arrinte 37 milionë lekë të vjetra, por FIFA e ka hedhur poshtë pretendimin e mbrojtësit që debutoi në Superiore me shkodranët pas largimit nga ekipi i Shkupit.

Berisha u bashkua me Vllazninë në gjysmën e dytë të sezonit 2017-18 dhe pretendon se nuk ka marrë pagat për muajt mars, prill, maj. Paga e tij ishte 4.7 milionë të vjetra.

31-vjeçari që aktualisht luan me Trepçen 89’ në Kosovë kërkonte dëmshpërblim për prishjen e kontratës nga ana e ekipit shkodran. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për 23.5 milion të vjetra.

Kërkesa e tij në FIFA në dëm të Vllaznisë u hodh poshtë. Kjo është ajo që shkruhet në vendimin zyrtar të marrë më 25 shkurt të këtij viti nga FIFA.