Federata Spanjolle e Futbollit anuloi një karton të kuq për anësorin e Realit, Vinicius Junior, i cili u përjashtua nga fusha në ndeshjen e së dielës në raundin e 35-të të La Ligës kundër Valencias.

Arbitri kryesor i ndeshjes, Ricardo de Burgos Bengoetxea, pas ndërhyrjes së dhomës së VAR-it, e përjashtoi Vinicius në minutën e 97-të për shkak se e goditi lojtarin kundërshtar.

Braziliani ishte fyer më herët në mënyrë racore nga tifozët, ndaj edhe ndeshja u ndërpre për 10 minuta.Përplasja mes lojtarëve të dy klubeve ka ndodhur në fund të ndeshjes dhe pas saj ylli i Realit ka marrë karton të kuq.

Mirëpo, komisioni i arbitrave të federatës spanjolle konstatoi se lojtari i Valencias goditi i pari Vinicius, kështu që të gjithë gjyqtarët që ndodheshin në sallën e VAR u pezulluan.Ata fajësohen se nuk ia kanë treguar këtë detaj kryegjyqtarit në video.

Meqë ra fjala, Vinicius tashmë ka mundësinë të luaj për Realin në ndeshjen e sotme të javës së 36-të të La Ligës kundër Rayo Vallecano, por një gjë e tillë nuk do të ndodh pasi braziliani ka probleme me gjurin.