
Drejtuesit e Vllaznisë, administratori Gjyrezi dhe trajneri Cungu, mbrëmjen e së mërkurës kanë qenë në stadiumin e Podgoricës për të ndjekur nga afër ndeshjen finale të kupës së Malit të Zi, atë në mes Buduçnostit dhe ekipit të Rudarit. Arsyeja e kësaj vizite ka qenë inspektimi i futbollistëve të të dy ekipeve dhe evidentimi i ndonjërit prej tyre me idenë për marrjen tek Vllaznia. Sipas informacioneve që dalin nga kampi shkodran, trajneri Cungu ka pëlqyer dy-tre futbollistë por ende nuk ka ndonjë gjë të sigurtë nëse këta futbollistë mund të bëhen pjesë e ekipit shkodran ngaqë janë nën kontratë me ekipet e tyre dhe po ashtu, mund të kenë edhe oferta të tjera. Por, udhëtimi drejt Malit të Zi duket se nuk i ka shkuar dot drejtuesve të Vllaznisë. Gjatë qëndrimit në Podgoricë, mësohet se dyshja Gjyrezi- Cungu ka patur një takim edhe me ish-mesfushorin e Laçit Marko Cetkoviç. Nga sa merret vesh, ky takim i dytë me këtë futbollist, ka qenë më ndryshe nga ai që trajneri akual i kuqebluve pat zhvilluar me të pak ditë më parë në Shkodër. Këtë herë është folur për gjëra më konkrete. Drejtuesit kuqeblu i kanë bërë edhe një ofertë zyrtare mesfushorit malazez i cili prej dy sezonesh është ndër më të spikaturit e kampionatit shqiptar dhe duket se palët kanë gjetur njëfarë akordi. Gjithsesi priten ditët në vazhdim për të mësuar më tepër në lidhje me këtë gjë por duket se akordi i Vllaznisë me mesfushorin Cetkoviç është shumë pranë dhe kuptohet që ky do të ishte një përforcim shumë i rëndësishëm për të. Përforcim që pastaj do t’u hapte rrugë edhe të tjerëve që do të vinin në ditët e ardhshme.
© shkodrasport.com