Ekipi i Vllaznisë ka filluar punën me proceset stërvitore për tu përgatitur për pjesën e mbetur të sezonit pas pushimeve dimërore. Madje kuqeblutë që prej ditës së djeshme janë zhvendosur në Ulqin. Kjo për të pasur edhe kushtet e duhura për stërvitjen. Por vëmendja është edhe tek merkato me hyrjet dhe daljet e futbollistëve.
Megjithatë tek kuqeblutë për momentin ka vetëm një afrim, ai i mesfushorit francez, Panos. Por tek shkodranët presin akoma më tepër në pjesën e mbetur të sezonit nga futbollistë që janë pjesë e skuadrës që në shtator. Fjala është për dyshen e mesfushorëve boshnjakë Heriç dhe Mustedanagic.
Të dy u afruan me bujë në fillimin e sezonit. Madje Heric ishte një titullar i padiskutueshëm gjatë thuajse gjithë fazës së parë të kampionatit. Por numri 10-të nuk tregoi një formë konstante duke humbur vendin e tij.
Nga ana tjetër Mustedanagic rrallë herë është prezantuar si titullar, por ka treguar se ka cilësi dhe një marrëdhënie të mirë me golin sa herë është thirrrur në apel.
Në këtë gjysmë të dytë të sezonit, tifozët presin më shumë nga dyshja boshnjake. Patjetër ata do ishin një armë më shumë në objektivat që ka Vllaznia këtë sezon nëse do jenë në formën e tyre më të mirë. Të dy mesfushorët pritet ta mbyllin sezonin me shkodranët dhe një largim i tyre në këtë merkato duket i pamundur.
Endri ÇINARI







