Kukësi sfidon sot Laçin në orën 13:00 në fushën e vetë, në një situatë aspak të favorshme, pasi i pret kurbinasit në ndeshjen e fundit të vitit si skuadra që mbyll klasifikimin e Kategorisë Superiore. Një përballje që për verilindorët është shumë e rëndësishme, sepse një tjetër rezultat negativ do të rëndonte akoma edhe më shumë pozitat e tyre, jo vetëm në klasifikim, por edhe në aspektin moral për vazhdimësinë e sezonit.

Gjithsesi, përpara kësaj sfide, ekipi që drejtohet nga Rrahman Hallaçi vjen pas tri tabuve që duhet të thyejnë këtë sezon dhe jo vetëm. Bëhet fjalë për fitoren përballë tifozëve të tyre, mbylljen e vitit me sukses dhe mposhtjen e Laçit në shtëpi.

FITORJA ME TIFOZË Është thënë shpesh që shtëpia është arma më e fortë e ekipeve shqiptare, por për Kukësin e këtij sezoni përbën një përjashtim.

Në stadiumin “Kukës Arena” verilindorët kanë fituar vetëm një herë këtë kampionat, pikërisht ndaj Bylisit 2-0 dhe ajo ka ndodhur pa praninë e tifozëve. Në tri përballjet e fundit në shtëpi kuksianët janë mundur me të njëjtin rezultat, 0-1. Për këtë arsye, ndaj Laçit kanë mundësinë të thyejnë edhe tabunë e shtëpisë për këtë sezon.

NDESHJA E FUNDIT Edhe bilancin me ndeshjet e fundvitit nuk është se verilindorët e kanë në rregull. Në tri sfidat e fundit që kanë zhvilluar, ata nuk ia kanë dalë të fitojnë asnjëherë, duke koleksionuar dy barazime dhe një humbje.

Në sezonet e kaluara, kanë barazuar ndaj Vllaznisë në transfertë dhe Skënderbeut në shtëpi, si edhe janë mundur në Kukës nga Teuta. Pra, me pak fjalë, kuksianët nuk kanë një marrëdhënie të mirë me rezultatin në sfidën e fundit të vitit, të paktën në tri sezonet e fundit. Kjo tabu mund të thyhet gjithashtu sot me Laçin.

SFIDAT ME KURBINASIT Bilanci jo aq i mirë vijon edhe në duelet direkte me Laçin sa u përket tri ndeshjeve të fundit që verilindorët kanë qenë pritës.

Bëhet fjalë për dy fitore të kurbinasve me rezultatin e njëjtë 1-2 dhe një barazim pa gola. Për këtë arsye, ndeshja me kurbinasit merr një rëndësi të veçantë për Kukësin, që shkon përtej vlerës së tri pikëve.

Një fitore e të besuarve të Hallaçit do të thyente tri tabu njëkohësisht, ndaj edhe do të kërkohet me çdo kusht maksimumi. Zor se mund të përtypej vendi i fundit në klasifikim për skuadrën në mbyllje të këtij viti, në një kohë që klubi ka pasur pretendime për titullin para startit.