Vllaznia do e mbyllë këtë vit futbollistik me ndeshjen kundër Teutës. Takimi ndaj durrsakëve do luhet nesër në orën 15:45, në stadiumin “Loro Boriçi”. Patjetër kuqeblutë do kërkojnë reagimin, duke parë edhe dy humbjet e fundit që kanë pasur në kampionat. Por kundër durrsakëve nuk do jetë aspak e lehtë.

Kjo për vetë humorin që gëzojnë në kampin bregdetar, pas dy fitoreve në dy ndeshjet e fundit të Superiores. Megjithatë tek Vllaznia pritet vetëm fitore, në mënyrë që skuadra të shkojë më e qetë në pushimet e fundvitit.

Por problematikat me dëmtimet janë të mëdha duke parë mungesat sidomos në mbrojtje. Kështu Bulatoviç dhe Shehi nuk do jenë të gatshëm për sfidën. E po ashtu Kruja që u ndëshkua me të kuq kundër Kastriotit.

Ndërsa në stërvitje është rikthyer Juriç, por vështirë se kroati mund ta nisë si titullar. Kështu në mbrojtje me siguri do jetë një debutim për Spahijen. Mbrojtësi 19-vjeçar ka mundësinë me siguri për minutat e tij të para këtë sezon në Superiore. E ndërsa në krahun e djathtë pritet Smajli. 20-vjeçari që ka luajtur disa ndeshje titullar në këtë edicion. Duke bërë edhe paraqitje pozitive.

Në mesfushë një tjetër lojtar nën 21 vjeç pritet të ketë vend. Fjala është për Alivoden, që këtë sezon ka qenë zbulim për Superioren dhe Vllazninë. Nuk ndodhte prej disa vitesh që 3 lojtarë nën 21 vjeç të luajnë titullarë me Vllazninë. Dhe me shumë mundësi do i shohim në fushë ditën e nesërme përballë Teutës në duelin e javës së 15-të.
Endri ÇINARI