FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREFutbollisti më në formë, tek Vllaznia “shpresojnë” me fantazistin

Futbollisti më në formë, tek Vllaznia “shpresojnë” me fantazistin

Shkruar nga Endri ÇINARI

Edon Murataj po shfaqet si një nga protagonistët kryesorë të Vllaznisë në javët e para të këtij kampionati. Fantazisti 24-vjeçar ka nisur sezonin në një formë mjaft të mirë, duke qenë ndër futbollistët që po spikasin më shumë në radhët e kuqebluve. Me paraqitjet e tij, Murataj po tregon se mund të ketë një rol të rëndësishëm në skuadrën shkodrane.

Forma e tij nuk është diçka e rastësishme, pasi Murataj e kishte dhënë sinjalin e parë gjatë muajve të verës. Në përgatitjet parasezonale ai ishte ndër lojtarët që u shfaqën në nivel të mirë, ndërsa kjo ecuri është transferuar edhe në ndeshjet zyrtare. Tashmë, fantazisti duket se po gjen vazhdimësinë e kërkuar dhe po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekipin.

Paraqitja e tij ndaj Elbasanit ishte një tjetër dëshmi e kësaj forme. Murataj ishte ndër lojtarët më aktivë të kuqebluve dhe me atë që dha në fushë meritoi edhe vlerësimin si “Lojtari i Ndeshjes”. Një çmim që konfirmon jo vetëm paraqitjen e mirë individuale, por edhe ndikimin që 24-vjeçari mund të ketë në lojën e skuadrës.

Një ecuri e tillë është një lajm i mirë për Vllazninë, e cila ka nevojë për futbollistë që marrin përgjegjësi dhe bëhen pika referimi në fushë. Murataj po jep shenjat e një lideri teknik, një lojtar që mund të udhëheqë repartin ofensiv dhe të sjellë më shumë kreativitet në lojën e shkodranëve.

Për stafin teknik, forma e Muratajt është padyshim një kënaqësi, por edhe një arsye për të kërkuar më shumë prej tij. Nëse fantazisti arrin ta ruajë këtë nivel dhe të bëjë një tjetër hap përpara në javët në vazhdim, atëherë Vllaznia mund të ketë një nga lojtarët e saj më të rëndësishëm në garën për objektivat e sezonit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments