Shkruar nga Endri ÇINARI
Në heshtje, larg vëmendjes publike dhe me dinjitetin që e ka karakterizuar gjithmonë, ish-basketbollisti kampion me Vllazninë, Fatjon Taraboshi, po përballet me një nga sfidat më të vështira të jetës së tij.
Burime pranë “Shkodra Sport” bëjnë me dije se ish-lojtari shkodran, vetëm 39 vjeç, i është nënshtruar pak kohë më parë një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në Greqi — një procedurë e kushtueshme që ka kërkuar jo vetëm forcë fizike, por edhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme shpirtërore. Familja dhe rrethi i tij kanë zgjedhur t’a mbajnë këtë betejë larg syrit publik, në një përpjekje për t’a përballuar me qetësi dhe dinjitet.
Megjithatë, pavarësisht operacionit, rikuperimi i Taraboshit nuk ka arritur ende në pikën optimale. Rruga drejt shërimit të plotë kërkon kohë, përkushtim dhe mbi të gjitha mbështetje.
Fatjon Taraboshi nuk është thjesht një emër i së kaluarës sportive të Vllaznisë. Ai është një prej atyre sportistëve që kanë lënë gjurmë me pasionin, sakrificën dhe kontributin e tyre për fanellën kuqeblu dhe për qytetin e Shkodrës. Një djalë që dikur dha gjithçka në parket, sot po lufton në një betejë shumë më personale.
“Shkodra Sport” i uron nga zemra një rikuperim sa më të shpejtë dhe të plotë. Në momente të tilla, forca e komunitetit dhe solidariteti marrin një vlerë të veçantë. Çdo mbështetje, në çdo formë, është një hap më pranë rikthimit të tij të plotë.
Sepse kampionët nuk harrohen — dhe as nuk lihen vetëm në momentet më të vështira.


