HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREGjysma e formacionit i ka shënuar Vllaznisë, tek Partizani ka futbollistë që...

Gjysma e formacionit i ka shënuar Vllaznisë, tek Partizani ka futbollistë që i njohin mirë kuqeblutë

Partizani do presë Vllazninë në javën e 21-të të kampionatit. Ndeshja do zhvillohet ditën e shtunë në orën 16:45, në stadiumin “Air Albania” . Takim që i gjen kryeqytetasit në një formë shumë të mirë, kur prej 3 ndeshjesh rradhazi njohin vetëm fitore mes kampionatit e kupës. Triumfet në kampionat kundër Skënderbeut dhe Teutës, si edhe fitorja kundër Dinamos në kupë kanë ngritur humorin në kampin e kuq.

Patjetër që sfida nuk do jetë aspak e lehtë për shkodranët kundër “demave”. Cilësitë tek Partizani patjetër që nuk mungojnë pavarësisht se ekipi nuk është aty ku pritej në fillim të sezonit. Tek 16 herë kampionët e vendit ka disa futbollistë që në të shkuarën i kanë shënuar Vllaznisë dhe i njohin mirë shkodranët.

Duke filluar nga mbrojtja, ku është Eneo Bitri i cili në sezonin 2018-19, në javën e 17-të të kampionatit do i jepte një triumf 1-0 Partizanit kundër Vllaznisë. Në mesfushë janë disa emra interesantë si: Sherif Kallaku që me skuadrën e Teutës do shënonte kundër Vllaznisë në çerekfinalet e kupës në sezonin 2018-19. Po ashtu Esat Mala, në një fitore të Partizanit në shifrat 3-0 para dy sezonesh do gjente golin kundër kuqebluve.

Arinaldo Rrapaj gjeti golin kundër Vllaznisë në ndeshjen e fazës së parë, ku Partizani dhe Vllaznia ndanë një barazim mes tyre në shifrat 1-1. Vlonjati shënonte thuajse në limitet e takimit. Xhuliano Skuka, sulmuesi që po spikat së fundmi gjithashtu ka shënuar këtë edicion kundër Vllaznisë, por me fanellën e Dinamos në humbjen 6-3 të dinamovitëve kundër Vllaznisë.

Të gjithë këta futbollistë pritet të jenë titullarë në sfidën kundër Vllaznisë. Pra një gjysmë formacioni që i ka shënuar shkodranëve në të shkuarën dhe tashmë lind detyra për të gjithë tek shkodranët që të marrin masat për një rezultat pozitiv në kryeqytet.
Endri ÇINARI

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments