Shkruar nga Endri ÇINARI
Brajan Gruda ishte protagonisti absolut i mbrëmjes në Kupën e Anglisë, duke udhëhequr Brighton drejt një kualifikimi të madh përballë Manchester United. Sulmuesi 21-vjeçar me origjinë nga Shkodra zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes.
I aktivizuar si titullar nga trajneri i Brighton, Gruda tregoi menjëherë personalitet dhe cilësi të larta teknike. Ai hapi rezultatin me një gol të bukur, duke befasuar mbrojtjen e “Djajve të Kuq”, ndërsa më pas u shndërrua në arkitektin e golit të dytë, duke asistuar saktë për Danny Welbeck. Dy momentet vendimtare të ndeshjes mbanin firmën e tij.
Me shpejtësinë, lëvizjet inteligjente dhe qetësinë para portës, Gruda ishte një kërcënim konstant për Manchester United, duke dominuar repartin ofensiv dhe duke i dhuruar Brighton fitoren dhe kualifikimin në turin tjetër të kompeticionit.
Në përfundim të takimit, performanca e shkëlqyer e sulmuesit u reflektua edhe në vlerësimet individuale: Brajan Gruda u notua me 8.4, nota më e lartë mes të gjithë lojtarëve në fushë. Një mbrëmje për t’u mbajtur mend, që konfirmon rritjen dhe potencialin e madh të talentit me rrënjë shkodrane në futbollin anglez.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


