Myrto Uzuni është kthyer sot përsëri protagonist me gol në kampionatin kroat të futbollit, duke dërguar një sinjal të qartë drejt trajnerit të përfaqësueses, Edi Reja, i cili e ka lënë në listën e pritjes për ndeshjet e tetorit. Sulmuesi ka qenë protagonist në ndeshjen që Lokomotiv Zagreb ka barazuar 1-1 ndaj Rijekës që është rivale për zonën e Europës.

Andrijaseviç në fundin e pjesës së parë i dha avantazhin Rijekës. Por në të dytën, Lokomotiv Zagreb e kërkoi me ngulm golin e barazimit dhe e gjeti me Uzunin, i cili ishte ndër futbollistët më aktivë në këtë sfidë.

Futbollisti mor një pasim të saktë para zonës në minutën e 49 dhe me një goditje mjeshtërore dërgoi sferën në rrjetë duke mos i lënë kohë portierit të reagonte.

Më pas, një festim me “telefonatë”, duke iu drejtuar pankinës për të përshëndetur trajnerin e tij, ndërsa këtë herë mungoi “shqiponja” e zakonshme me të cilën feston sa herë tund rrjetën.

Ky ishte goli i dytë në këtë sezon për sulmuesin shqiptar, i cili ka pasur një fillim edicioni më të komplikuar se zakonisht në klubin e tij për shkak të mungesës së rezultateve e ndoshta kjo ka ndikuar edhe në thirrjen nga trajneri Reja. /vipsport/