Alban Hoxha nuk ka rinovuar ende zyrtarisht me Partizanin, megjithëse ishte pjesë e skuadrës në fazën përgatitore, teksa u stërvit me grupin edhe para ndeshjeve ndaj Saburtalos, megjithëse nuk u federua për shkak të dëmtimit që pësoi në ditët e fundit të fazës përgatitore.

Nga ana tjetër një pengesë për federimin mësohet të ketë qenë edhe kontrata, pasi Hoxhës i ka skaduar në fund të sezonit.

Nga ajo që gazeta ka mësuar javë më parë, kapiteni dhe klubi kanë një akord verbal për rinovimin, por duket se palët nuk janë dakord në të gjitha kushtet e kontratës.

“Panorama Sport” mëson se mes Hoxhës dhe klubit ka disa pengesa, që po e shtyjnë dita-ditës rinovimin.

Megjithëse dëshira e palëve është të vazhdojnë, nuk përjashtohet mundësia që detajet e papërfunduara të shndërrohen në një pengesë të madhe mes palëve.

Gjithsesi, shanset më të mëdha janë që gardiani të rinovojë.

ALBAN HOXHA 2

“STAFETA” – Vitet kalojnë dhe Hoxha në sezonin e ardhshëm do të jetë 35 vjeç.

Për një portier nuk mund të themi se është një moshë shumë e madhe, por te Partizani kanë menduar që të fokusohen tek e ardhmja dhe firma me Bekim Rexhepin e tregon qartë këtë.

Pra, e thënë ndryshe, Hoxha pritet që pas shumë vitesh si portier i parë, sezonin e ardhshëm të dorëzojë stafetën dhe të kalojë në plan të dytë, duke e lënë portën në një balotazh mes Rexhepit dhe Teqjes.

Ky i fundit e ka justifikuar veten sa herë është aktivizuar në Superiore e gjithashtu shkëlqeu në të dyja sfidat me Saburtalon.

Këto paraqitje padyshim e vënë jo pak në presion trajnerin Mehmeti për të zgjedhur portierin titullar.

Pavarësisht se Hoxha pritet të ketë më shumë rolin e një lideri jashtë fushës, në fund askush nuk i mohon cilësitë e tij dhe në rast se Teqja e Rexhepi nuk bindin, kapiteni është padyshim një rezervë luksi.