Një krosim nga Arsid Kruja nga e djathta dhe një roveshatë spektakolare e Zhunior që e dërgon topin në rrjetë, ndërsa portieri i Besëlidhjes nuk lëviz nga vendi. Goli i djeshëm i brazilianit të Vllaznisë që hapi serinë e “pokerit” ishte spektakolar. Një roveshatë si e Kristiano Ronaldos një vit më parë që u shpall edhe goli më i bukur i Ligës së Kampionëve.

Zhunior ka festuar si i çmendur, ndërsa tifozët në stadium dhe ata që e kanë ndjekur ndeshjen në TV kanë shijuar një eurogol. Braziliani vërtetoi edhe një herë se ishte një zgjedhje shumë e mirë për shkodranët, ndërsa aktualisht është ngjitur në kuotën e 11 golave duke qenë në krye të shënuesve të Kategorisë së Parë.

ZHUNIOR – Në përfundim të ndeshjes, sulmuesi brazilian në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” u shpreh: “Jam shumë i kënaqur me golin e shënuar dhe për më tepër me fitoren e arritur.

Më kënaq fakti se jam golashënuesi më i mirë i Vllaznisë, por këtu kanë meritë edhe shokët e ekipit. Për sa i përket golit, ishte një moment që nuk u mendova gjatë. Topi erdhi në atë mënyrë që ishte e vetmja për ta goditur.

Kur e pashë sferën në rrjetë, ishte një gjë shumë e bukur. Sigurisht, kur shënon gola spektakolarë ndihesh shumë mirë dhe i lumtur. Shpresoj që të vazhdoj të shënoj edhe në javët që na kanë mbetur deri në fund”, deklaroi fillimisht Zhunior për gazetën.

Më tej, braziliani foli edhe për objektivin e skuadrës, ku sipas tij, me fitoren e djeshme ndaj Besëlidhjes, shkodranët e kanë mbyllur këtë çështje. “Mendoj se tani e kemi të zgjidhur çështjen e Superiores.

Vllaznia është këtu, sepse e ka merituar këtë gjë pasi që në momentet e para kemi qenë në krye të renditjes. Kanë mbetur edhe pak javë deri në fund dhe duhet të jemi të karikuar dhe të përqendruar për të dhënë më të mirën”, përfundoi prononcimin e tij braziliani Zhunior.