Partizani nuk ka zhgënjyer në kampionat, duke mposhtur me rezultatin 2-1 Bylisin në “Adush Muça”. Në Ballsh u zhvillua një ndeshje me të vërtetë spektakolare, e cila i kishte të gjitha brenda. Skuadra e Dovedan kishte mundësinë të kalonte e para në avantazh, por Kojiç u tregua i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë, në minutën e 40, e cila u prit nga Alban Hoxha.

Atë që nuk e bëri Kojiç për Bylisin, e bëri Erald Çinari për Partizanin. Sulmuesi i të kuqve fitoi një penallti në minutën e 55’, të cilën e shndërroi vetë në gol, duke i dhënë avantazhin të kuqve. Gjithçka u bë më e lehtë për “demat” në minutën e 73′, kur Ymeralilaj pas një përplasje me Hakajn u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë ballshiotët me 10 lojtarë.

Ishte Tedi Cara, i cili në minutën e 80’ shënoi golin e dytë për Partizanin, duke i bërë të gjithë të mendojnë se u mbyll aty, por nuk ishte i këtij mendimi Carkanji. Ky i fundit përfiton nga një përgjumje e mbrojtjes së Partizanit dhe rihapi sfidën në minutën e 86’, por nuk mjaftoi për të marrë të paktën 1 pikë.

Me këtë fitore, Partizani shkon në kuotën e 31 pikëve, 6 pikë më pak se Vllaznia kryesuese, ndërsa Bylisi mbetet në vendin e fundit me 12 pikë.

FT| Bylis-Partizani 1-2

Carkanji 86’/ Çinari 55′, Cara 80′