Kampionati kombëtar i të rinjve ose siç njihet ndryshe ai U19, po shkon drejt fundit dhe kanë mbetur për t’u luajtur edhe 5 javë deri në fund.Në këtë kampionat siç dihet, marrin pjesë edhe dy ekipe të Shkodrës, Vllaznia e cila kryeson renditjes dhe AAS që mban vendin e katërt.

Por jo vetëm kaq. Në listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit, ndër tre të parët, dy janë shkodranë. Bëhet fjalë për Eridon Qardakun që me golin e djeshëm ndaj Ilirisë është ngjitur në kuotën e 19 golave të shënuar, po aq sa edhe Redi Veriu i Tiranës.

Ndërkohë në vendin e tretë të golashënuesve më të mirë është Mehdi Çoba i AAS me 17 gola. Një sulmues ky që po i tregon vlerat e tij në këtë kampionat shumë të fortë ku marrin pjesë ekipe si Vllaznia, Shkëndia, Tirana, Partizani etj.

Në grupin B ndërkohë golashënuesi më i mirë është Eqerem Liqeri i Skënderbeut me vetëm 13 gola të shënuar. Kjo do të thotë se treshja e golashënuesve më të mirë të grupit A, kësisoj është më e mira e gjithë kampionatit të të rinjve të Shqipërisë.
© shkodrasport.com