Dy futbollistë shqiptarë kanë gjetur rrugën e rrjetës në ndeshjen e Kupës në Turqi. Bëhet fjalë për mesfushorin maliqar Uerdi Mara dhe sulmuesin Bekim Balaj, që arritën të shënonin në triumfin 4-1 që skuadra e tyre Ankara Keçiorenguçu arriti në fazën e 1/64 ndaj Dijarbakirspor.

Në minutën e 4-t, ishte ish-mesfushori i Skënderbeut, Mara ai që hapi serinë e golave, duke shndërruar në gol një 11-metërsh. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1-0.

Ndërkohë në pjesën e dytë u shënuan edhe 4 gola të tjerë. Në minutën e 66-të, vendasit dyfishuan me ish-sulmuesin e Kukësit, Patrik Eze, teksa në të 67-tën, Inan ngriti shifrat në 3-1. Miqtë shënuan golin e nderit në minutën e 71-të.

Për të vulosur këtë takim mendoi shkodrani Bekim Balaj, që në minutën 90+1, shënoi golin e katërt për Keçiorenguçu.

Me këtë fitore, skuadra e shqiptarëve ka siguruar kualifikimin për në turin tjetër të Kupës së Turqisë. Vlen të theksohet fakti se pjesë e ekipit nga Ankara, është edhe Jurgen Bardhi.