Shkruar nga Endri ÇINARI
Pika më e fortë në shumicën e sezonit deri tani për skuadrën e Vllaznisë ka qenë shënimi i golave. Ekipi i drejtuar nga Edi Martini pas 18 javësh kampionat që përkojnë me gjysmën e edicionit, ka shënuar 24 gola. Ku vetëm Dinamo me 27 gola të shënuar deri më tani e ka gjetur rrjetën më shumë se kuqeblutë, të cilët aktualisht kanë sulmin e dytë më të mirë në kampionat. Por, pavarësisht këtij fakti, duket se tek shkodranët ka një lloj varësie përsa i përket shënimit të golave.
Kështu 10 prej golave të shënuar deri më tani në kampionat kanë “firmën” e Balajt, i cili po ashtu është edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit. Kapiteni i skuadrës shkodrane është “ndihmuar” pak nga kolegët e tij të sulmit përsa i përket golave të shënuar. Ku ka një diferencë në sasi krahasuar me secilin prej kolegëve të repartit të avancuar. Duke nisur me Malen, i cili pavarësisht se nuk është një futbollist tipik i repartit sulmues, është aktivizuar aty për pjesën dërrmuese të sezonit deri më tani.
Futbollisti nga Prizreni ka shënuar vetëm dy gola deri më tani në kampionat, pavarësisht kontributit të tij shumë të rëndësishëm në fushën e lojës. Po ashtu edhe futbollistë të tjerë si Bismark apo Kastrati, nga të cilët pritet të bëhet diferenca me anë të golave, nuk kanë arritur t’a bëjnë diçka të tillë deri më tani. Ku secili nga dy futbollistët e sipër përmendur kanë shënuar vetëm nga një gol deri në javën e 18-të të kampionatit në Superiore.
Pra, pavarësisht golave të shumtë që ka shënuar Vllaznia, “varësia” mbetet tek Balaj. Ku rrjetat e sulmuesit janë “jetike” për kuqeblutë, të cilët patjetër krenohen dhe janë të kënaqur që kanë një lider të tillë në gjirin e tyre. Por, që patjetër presin edhe golat e futbollistëve të tjerë të repartit të avancuar, në mënyrë që ndeshjet të zgjidhen edhe kur Balaj nuk është në formë apo nuk arrin të gjejë golin.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


