Bora e rënë mbrëmë dhe sot në qarkun e Shkodrës e ka rënduar situatën jo vetëm në rrugë por edhe në ambjentet sportive. Si rrjedhojë, disa nga ndeshjet sportive të planifikuara në këto fusha nuk janë luajtur ose nuk do luhen në ditët e ardhshme. Njëra prej tyre nuk është zhvilluar sot. Bëhet fjalë për ndeshjen e futbollit mes dy ekipeve të kategorisë së parë, Adës dhe Burrelit që duhej të ishte luajtur në orën 14.00. Në Velipojë pasditen e sotme kanë mbërritur të dy ekipet dhe gjyqtarët e ndeshjes të cilët kanë zbatuar rregulloren duke tentuar të hedhin topin mbi borë e përderisa ai nuk ka kërcyer, sipas asaj çfarë është e shkruar, ndeshja nuk mund të luhej. Në këtë mënyrë, është vendosur që ajo të shtyhet për një datë tjetër. Kuptohet që nga një shtyrje e tillë, të dy ekipet kanë dalë të humbura sepse atyre në ndeshjet e ardhshme do t’u ngjishet kalendari dhe do krijojë një rrëmujë të vërtetë. Më i dëmtuar nga shtyrja e kësaj ndeshje, sigurisht që ka dalë ekipi i Burrelit i cili kishte udhëtuar në kushte jo të mira atmosferike vetëm që ta zhvillonte këtë ndeshje, por ajo nuk u bë e mundur. Në dyshim për të luajtur përveç ekipit të parë të Adës, janë edhe dy ekipet e moshave të këtij klubi, ai U-19 dhe U-17 që nesër do ndeshen në javën e parë të fazës së dytë me ekipet e Vllaznisë.

www.shkodrasport.com