Skuadra shkodrane e Vllaznisë në basketboll për të rritura, e ka humbur edhe ndeshjen e rradhës. Atë që ka luajtur pasditen e sotme ndaj Apolonisë së Fierit. Ndeshja në fakt nuk është zhvilluar në Fier por në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.Ajo është dominuar gjatë gjithë kohës nga vajzat fierake që nuk e kanë vënë asnjëherë në dyshim fitoren. Rezultati përfundimtar i arritur në përfundim të ndeshjes ka qenë 80-65. Apolonia vetëm pak ditë më parë fitoi Kupën e Shqipërisë dhe është aktualisht ndër skuadra më të mira të basketbollit të femrave në vendin tonë. Ndërsa Vllaznia është një ekip me vajza të reja dhe sigurisht që nuk mund të matet me këtë kundërshtar. Me këtë humbje, vajzat e trajnerit Rajmond Rasha kërkojnë të ruajnë atë vend që kanë aktualisht në renditje sepse përbërja dhe financat e skuadrës nuk garantojnë për më tepër. Vllaznia për femra ka kohë që ndonëse përpiqet të ndërtojë një ekip të mirë nuk ia arrin. Sportistet largohen, financat mungojnë dhe në kushte të tilla, nuk përmirësohet asgja.

www.shkodrasport.com