Ish-mesfushori i Milanit, Massimo Ambrossini, ka dalë në krahun e drejtorit sportiv, Igli Tare. Sipas tij, shqiptari është më pak fajtori për situatën te kuqezinjtë.
Ambrosini zbuloi dy skenarët për të ardhmen e Milanit, ndërsa shtoi se faturën e kësaj situate të tensionuar do e paguajë Tare, ndonëse është më pak përgjegjësi.
“Para së gjithash, Milani duhet të hyjë në Ligën e Kampionëve, sepse kjo do të thoshte 100 milionë më shumë dhe gjithçka do të ishte më e lehtë. Gjëja më e lehtë për t’u menduar është se, nëse Cardinale do të qëndronte, ka dy skenarë: njëri përfshin qëndrimin e Furlanit, tjetri qëndrimin e Tares dhe Allegrit.
Nga të gjithë lojtarët, nëse do të më duhej të vendosja se kush nuk do të jetë më te Milani vitin tjetër, mendoj se Tare është më pak fajtori. Do të jetë Tare që do të paguajë çmimin, por për mua, ai është më pak përgjegjës”, u shpreh Ambrosini.
Kohët e fundi te Milani është përfolur për përplasje të shumta, mes drejtuesve kryesisht, të cilat duket se janë reflektuar edhe te rezultatet e skuadrës.


