Ndeshja e vlefshme për kampionatin kombëtar të basketbollit të meshkujve në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Kamza Basket e planifikuar për sot pasdite në orën 17.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, nuk do të zhvillohet. Drejtuesit e dy ekipeve kanë rënë dakord ta shtyjnë këtë ndeshje si rrjedhojë e kushteve të rënduara atmosferike. Për rrjedhojë, ekipi i Kamzës nuk e ka marrë fare rrugën për në Shkodër. Dikush mund të thotë se bora e rënë nuk ndikon në pallatin e sportit që është i mbuluar por lagështira e madhe që mbizotëron në ambjentet e tij, e bën të pamundur zhvillimin e ndeshjes në kushte normale. Lajmin për shtyrjen e kësaj ndeshje e ka bërë të ditur për gazetën online www.shkodrasport.com vetë trajneri i Vllaznisë Bledar Gjeçaj që ka thënë: “Duke parë kushtet atmosferike, vendosëm dhe ramë dakord edhe në bashkëpunim me Federatën, për ta shtyrë këtë ndeshje për në ditët e ardhshme”. Kalendari kësaj duhet ndryshuar megjithatë kjo për momentin nuk ka shumë rëndësi sepse në kushtet aktuale, vetëm për sport nuk bëhet fjalë.

www.shkodrasport.com