Partizani ka regjistruar ndeshjen e 5-të radhazi pa fitore, teksa sot është mundur përsëri në shtëpi. Këtë radhë nga Laçi, i cili e ka mposhtur me përmbysje duke u pozicionuar tashmë falë rezultateve të fundit, në vendin e tretë në klasifikim, ndonëse pak javë më parë ishte në luftë për mbijetesën.

Pritej një sfidë e luftuar dhe ashtu ishte, pasi të dy ekipet bënë presing duke mos lejuar që të zhvillohej një lojë e rrjedhshme. Laçi kishte rastet më të mira por ishte Partizani që gjeti golin e avantazhit me Da Silva falë një gjuajtje të shkëlqyer. Megjithatë, në fundin e pjesës së parë, Turkaj vendosi baraspeshën në shifrat me një gjuajtje me kokë, i harruar në zonë nga mbrojtja vendase.

Në fillimin e pjesës së dytë, Laçi filloi pak nga pak të rriste lojë e vet dhe ia doli të kalonte në avantazh me Shkurtajn. Më pas, skuadra e Mezanit u mbrojt me rregull duke mos i lejuar asgjë Partizanit që nuk ia doli të gjente më rrjetën,

Kështu, të kuqtë shënuan ndeshjen e pestë radhazi pa fitore, ndër të cilat kanë humbur 3 të tilla. Kështu ata shohin Tiranën t’u arratiset edhe më shumë në kreun e renditjes dhe duke i dhënë mundësinë njëkohësisht Laçit që të futet mes pretendentëve për zonën e Europës në Superiore.

PARTIZANI-LAÇI 1-2

28′ Da Silva / 45’+3′ Turkaj, 66′ Shkurtaj