Neymar kthehet në radarët e Real Madridit, si objektiv i merkatos së verës. Kështu shkruan sot “AS”. Ndoshta tingëllon disi e befasishme, por Griezmann mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë “efekt domino”, të pritshëm në tregun e afërt të transferimeve në futboll.
PSG është përfshirë në garën për të nënshkruar me sulmuesin francez, që së fundi njoftoi largimin nga “rojiblanco”.Kjo tregon se, më në fund, kampioni i fuqishëm financiar francez, mund ta marrë në konsideratë mundësinë e lirimit të Neymar, duke pasur parasysh se Griezmann do ta zinte vendin e tij.
“Le Parisien”, një media mjaft e afërt me këtë klub, dhe me shumë besueshmëri, njoftonte të martën se PSG po përgatit një ofertë prej 210 milionë eurosh, për të blerë treshen e “Los Blancos”, Kroos, Isco dhe Bale. Nëse kësaj shume i shton edhe 120 milionë eurot për Griezmann, sa kushton kampioni i botës prej 1 korrikut, kostoja totale do të arrinte në 330 milionë.
Shifër thuajse e barabartë, sa PSG do t’i kërkonte Real Madridit për Neymar. Në këtë mënyrë, Al Khelaifi do ta rimbushte llogarinë, do të shmangte problemet me “fair play financiar”. Shumë ka ndryshuar te Neymar, pasi vendosi të shkojë në Paris, në vitin 2017. PSG e bëri brazilianin transferimin më të shtrenjtë në histori, duke disbursuar 222 milionë euro në klubin katalanas.
Florentino Pérez beson se Neymar do të ishte goditja e madhe për të mbushur boshllëkun e krijuar nga largimi i Cristiano Ronaldos.Ideja e kreut të “Los Blancos” është rikthimi i bujshëm në merkato, në të cilën Real Madridi ka “agjëruar” që nga viti 2014, kur pagoi 80 milionë euro për James Rodriguez.
Hazard me siguri do të mbërrijë në “Bernabeu” (edhe pse Chelsea nuk do të ulet për të negociuar deri pas përfundimit të finales së Ligës së Europës kundër Arsenalit). Sidoqoftë, Perez beson se me ardhjen e Neymar, klubi i tij rifiton “magjinë” që kishte në fazën e tij të parë si president (2000-2006), kur bleu Figo, Zidane, Ronaldo dhe Beckham./telesport/