Në garat që do të zhvillohen nesër në stadiumin “Loro Boriçi” pritet të ketë rezultate të larta. Për këtë arsye, sot do të mbërrijë në Shkodër dhe më pas do të montohet në pistë edhe matësi elektronik ose siç quhet ndryshe foto- finishi.

Arsyeja është e thjeshtë: Do të tentohet thyerja e rekordit kombëtar në garën e 200 metrave nga atleti Franko Burraj dhe për ta zyrtarizuar atë duhet patjetër matja e kohës me matës elektronik.

Po ashtu priten rezultate të larta edhe në garat e tjera. Kupa “100 vjet atletikë Vllaznia” po pritet me mjaft interes në Shkodër dhe pritet që të pranishëm në stadium shumë sportdashës.

Atletët e Vllaznisë kanë kohë që përgatiten për këtë aktivitet dhe do të synohet patjetër një paraqitje sa më e mirë në të gjitha disiplinat ku ato do të marrin pjesë.

Megjithatë pritet që të ketë konkurrencë sepse pjesmarrës do të jenë edhe atletë të ekipeve të tjera të vendit por edhe të ftuar nga Kosova e Maqedonia e Veriut.
© shkodrasport.com