Teuta-Vllaznia, takim që do të luhet në 16.45 të së mërkurës së 25
nëntorit në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit, është
padyshim sfida më interesante për javën e katërt së Superiores së
futbollit shqiptar.
Me tre fitore radhazi dhe nëntë pikë të plota, kuqeblutë kryesojnë me plot meritë tabelen e klasifikimit. Një start ky kaq pozitiv që ka entuziasmuar një qytet të tërë si Shkodra, i cili pas një rënkimi disa vjeçar duke notuar në zonën e mbjeteses, duket se ka dhënë sinjalet e para të një skuadre pretendente për fitimin e titullit kampion.
Natyrisht që me emocionet e kësaj Vllaznie dinjitoze të këtij
sezoni po jetojnë edhe ish futbollistët e kësaj skuadre, ato që në vite
i kanë dhënë lavdi ngjyrave kuqeblu.
Njëri prej tyre është edhe ish portjeri dhe ish kapiteni i famshëm i Vllaznisë, Armir Grima, i cili pas largimit nga fusha e lojës provoi të ushtrojë edhe postin e tajnerit të Vllaznisë, si dhe detyra të larta në klubin shkodran.
Në një prononcim për Veriu Sport, ish kapiteni kuqeblu shprehet i kënaqur për fitoren e fundit shumë emocionuese me Tiranën në “Loro Boriçi”, por edhe gjendjen e mirë që po kalon Vllaznia e tij, ndërkohë që nuk nguron të përcjellë edhe vlerësime, jo vetem për furtbollistët por kryesisht edhepër trajnerin gjerman Thomas Brdariç.
“Është e vertetë që ishte një fitore emocionuese, është e vertete që
kishte një adrenalinë kjo fitore, aq më tepër që luhej kundra një ekipi
rival të përhershëm siç është Tirana. Por, ajo që më pëlqen shumë tek
Vllaznia dhe më kënaq këtë sezon është loja mjaft e mirë që po zhvillon
skuadra.
Përgëzoj trajnerin Brdariç për mënyrën e lojës që zgjedhe, dhe
normalisht pjesë kryesore e ekipit më duket harmonia brenda skuadrës që
është për t’u lavdëru, nota dhjetë. Një Vllazni e bukur që po na kënaq,
po na kthehen emocionet, po ndiehena të lumtur me këtë skuadër.
Shpresojmë ta mbajmë këtë ritëm dhe të ecim me këto rezultate.”,
shprehet Grima.
Vllaznia ka vite që nuk e fiton trofe për të gëzuar fansat e vete. Madje
vete Grima është kapiteni i fundit që ka ngritur trofeun e Kupës së
Shqipërisë në vitin 2008 pas asaj fitoreje 2 me 0 ndaj Tiranës, finale
kjo e luajtur në stadiumin e Elbasanit.
Kujtime dhe emocione që për Grimen janë akoma të freskta, por që sipas tij, tashmë ka ardhë koha që fotot dhe imazhet e asaj Vllaznie që vazhdojnë të qarkullojnë në media, të zëvëndësohen me brezin e sotëm, me këto djem të rinjë që besojnë tek suksesi.
“Unë me shpirt besoj që Vllaznia duhet të jetë kampione e këtij sezoni,
të paktën me këto që ka treguar deri më tani. Gjithësesi, unë mendoj se
futbollistët janë djem të zgjuar, dhe e kuptojnë se ky është fillimi dhe
duhet të kenë përqëndrimin maksimal.
Ne duhet t’i ruhemi shpërqëndrimit, sepse një gjë të tillë e kemi treguar edhe vitet e tjera, ku pavaraësisht se kemi pasur ekipin për të mbërritë në sukses nuk kemi mbërritur ta marrim trofeun, pikërisht nga një shpërqëndrim apo eurori e momentit.
Por të luftojmë, dhe po të kemi këtë dëshirë, dhe këtë harmoni që ka skuadra brenda jam i bindur tek suksesi. Mendoj se ka ardhur koha që tashmë mos të dalin më fotot tona të suksesit të fundit, por të
rinovohen me këto djem që po luajnë kaq mirë, të pakën në këto
momente.”, thekson Grima.
Sfida e së mërkurës Teuta-Vllaznia ka edhe një të veçantë tjetër, pasi
në kampin durrsak, janë edhe dy shkodranë si trajneri Edi Martini dhe
sulmuesi Rubin Hebaj që do të përballen me skuadrën e qytetit të tyre të
lindjes.
“Të them të drejtën unë jam tifoz i Vllaznisë dhe dëshira dhe shpirti
ma don që të fitojë Vllaznia, pamvarësisht se aty kemi një mik shumë të
mirë, një djalë shumë të mirë që është trajneri i Teutes, Edi Martini
dhe që po punon mjaft mirë me këtë ekip, edhe me rezultate pozitive. Por
përpos kësaj, që unë Edin e kam shok, vëlla, e du shumë, shpirti ma don
që të fitojë Vllaznia për ta mbajmë këtë ritëm që kemi deri më tani.
Dhe, për këtë jam i bindur se do të realizohet për të ecur më pas edhe
në fitore të tjera drejt realizimit të objektivit, fitimit të titullit
kampion.”, përfundon prononcimin e tij për Veriu Sport, ish kapiteni
kuqeblu Armir Grima, që sot është në cilësinë e trajnerit të kombëtares
kuqezi në futboll për femra./veriusport/







