Pep Guardiola i cilësoi lojtarët e tij “kafshë” në kuotimin figurativ pas suksesit të 15 rresht në kampionat, që vendosi edhe rekordin absolut në ishull. Trajneri katalanas po ‘prek qiellin me dorë’ këtë sezon dhe ka të drejtë të jetë i lumtur me lojtarët e tij, pasi statistikat që mbështesin ecurinë e Manchester City-t janë vërtet mbresëlënëse.Gjatë këtij sezoni, kryesuesit e Premier League kanë qenë në disavantazh vetëm 70 minuta në total, ndërsa kanë arritur të siglojnë plot 52 gola në vetëm 17 ndeshje.

Portat kundërshtare i kanë bombarduar pothuajse nga çdo cep i sulmit, ndërsa Sergio Aguero ndan vendin e parë me Gabriel Jesus, të dy me nga 10 gola të shënuar, ndërsa Raheem Sterling, njeriu i rrjetave vendimtare numëron një gol më pak.

Nuk ka vend për rivalët as në listën e njerëzve asist, pasi De Bruyne dhe David Siva kryesojnë listën me nga 7 të tillë. Ditët kur City luante nën hijen e rivalëve të United kanë perënduar, sepse mjafton të kujtojmë që deri në këtë pikë të kampionatit kanë po aq sa grumbulluan gjithë sezonet 1995-96, 2000-01, 2003-04, 2005-06 dhe 2006-07, për të kuptuar se sa shumë kanë ndryshuar kohët.

30 prej golave janë shënuar në harkun kohor të 15 minutave të fundit, ndërsa rekordi europian prej 19 fitoresh rresht që mbahet nga Bayerni i Mynihut në vitin 2013 është objektivi i radhës. Kjo skuadër nuk di dhe nuk do të ndalet këtu.