Pep Guardiola mendon se çdo diskutim që bëhet për të ndryshuar kalendarin e ndeshjeve duke shtuar të tjera, është i dëmshëm për cilësinë e futbollit që prodhojnë lojtarët në fushë. I pyetur në konferencën për shtyp se çfarë mendimi kishte për ndryshimin e Ligës së Kampioneve, tekniku i Mançester Sitit, një prej klubeve që tentuan të shkëputeshin nga turneu për të krijuar Superligën, tha se ideja në parim ishte e gabuar, duke mos kursyer ironinë ndaj atyre që e kishin ideuar.

“I gjithë futbolli botëror kërkon një cilësi më të mirë, ndërsa nga ana tjetër duan më shumë sasi. Nuk jemi ne që komandojmë, duhet t’i kërkojmë UEFA-s e FIFA-s që të zgjatin vitin. Ndoshta mund ta çojnë në 400 ditë…”, ishte ironia e teknikut spanjoll para mediave.

Thuajse të gjithë trajnerët kanë kritikuar planin që është bërë nga UEFA për të modifikuar Ligën e Kampioneve, me fazën në grupe që do t’i vendosë përballë 10 kundërshtarësh të ndryshëm sipas shortit, duke i dhënë fund sistemit të deritanishëm me grupe fikse.

Kështu do të shtohet edhe numri i ndeshjeve që do të luajnë skuadrat duke bërë që takimet të zhvillohen edhe në dhjetor apo janar, muaj që deri tani kanë qenë pushim. /vipsport/