Vincent Kompany u largua pas 11 vitesh nga Manchester City, për të nisur një aventurë të re te skuadra e Anderlecht, ku do të jetë në detyrën e lojtarit-trajner. Mbrojtësi ka nisur sot nga puna për t’u përgatitur për sezonin e ri.

“Më duket vetja si një mësues në ditën e parë të shkollës. Megjithatë nuk kam frikë nga aventura e re si trajner. Kam patur mjaft profesorë të mirë, sidomos Pep Guardiola. Ai i shpjegonte gjithçka me shumë qartësi dhe kam mësuar shumë nga ai”, thotë Kompany.

“Natyrisht që unë nuk jam Guardiola, kjo është e qartë. Gjithsesi, mendoj se kam qenë një student i mirë dhe i kam marrë të gjitha leksionet e tij. I kam mësuar të gjitha skemat e tij, të cilat do t’i përdor në aventurën time të parë si trajner i Anderlecht”, u shpreh Company.

Belgu ka fituar 4 tituj kampionë me Manchester City në Premier League, dy prej të cilëve me Guardiola. “Unë po ndërtoj karrierën time si trajner, duke shpresuar t’i ngjaj Pep dhe të kem suksesin e tij. Ia kam vjedhur të gjitha skemat duke qenë pranë tij në këto 3 vite”, tha 33-vjeçari belg./telesport/