Një nga kualitetet e skuadrës së Vllaznisë së Shkodrës është edhe mbrojtësi Erdenis Gurishta, që tashmë mund të quhet “veteran”, ndonëse është vetëm 24 vjeç. Por, duke qenë se ka 8 sezone që luan si futbollist profesionist, me një karrierë të nisur me Veleçikun në Kategorinë e Parë, e më pas te Vllaznia, për të mos e lëshuar më formacionin. Gurishta e ka nisur si titullarë në Superiore dhe është i lumtur me fitoren e parë, por më së shumti me rikthimin e tifozëve.
Në një prononcim që ka dhënë për “Vipsport.al”, Erdenis Gurishta ka theksuar se: “Ka qenë shumë e vështirë, por të gjithë kishim dy synime. Duhet që të fitonim, në mënyrë që të merrnim 3 pikët por edhe tifozët të fillojnë të mbushin stadiumin. Ja arritëm qëllimit, morëm 3 pikët dhe tifozët u rikthyen. Jemi ekzaltuar shumë dhe gjej rastin që në emër të skuadrës t’i falënderoj sepse na kanë mbështetur shumë”, – tha Gurishta, një nga më të mirët e shkodranëve në sezonet e fundit.
Atmosfera
“Ekipi është i bashkuar dhe këtë e treguam në ndeshjen e parë. Mos harroni, ne vinim nga Kategoria e Parë, pastaj edhe kalendari na kishte vënë përballë një ekip solid si laçi që vitet e fundit në Superiore ka qenë “kockë e fortë”. Dhamë shpirtin në fushë dhe fituam. Kjo është më e rëndësishmja”, – tha ndër të tjera 24-vjeçari që luan në disa role te shkodranët.
Bylisi
Gurishta, ndalet edhe te ndeshja e radhës, transferta e parë e këtij sezoni, me Bylisin në Ballsh. “Në Ballsh ne do të japim më të mirnë dhe më gëzon gjendja dhe optimizmi që mbizotëron në skuadër. Do të shkojmë për të fituar atje dhe nëse luajmë si me Laçin do t’ia dalim për ta fituar ndeshjen e radhës me Bylisin. Ishalla të kemi edhe pak fat, sepse edhe kjo është e rëndësishme sepse në futboll asnjëherë nuk i dihet…”, – tha Gurishta duke mbyllur prononcimin e tij./vipsport/