Emra të spikatur të futbollit shkodran kanë zgjedhur pas tërheqjes nga futbolli aktiv, të vijojnë të mbeten pranë këtij sporti magjik, duke zgjedhur detyra të ndryshme, qoftë të planit teknik, ashtu edhe organizativ. Një nga lojtarët e dashur të Vllaznisë dhe me kontribut në shumë prej ndeshjeve të saj, Elvin Beqiri, ka prej disa vitesh tashmë që siç dihet, i ka hyrë rrugës së trajningut dhe aktualisht drejton Tërbunin e Pukës në Kategorinë e Parë.

Pukjanët do të luajnë ditën e sotme ndeshjen e rradhës ndaj Turbinës, teksa në një intervistë për “Shkodra Sport”, trajneri Beqiri u shpreh se kjo ndeshje, është një ndeshje shumë e rëndësishme për të mbajtur pozicionin e play-off. Beqiri theksoi se ka besim se do ta mbajnë deri në fund këtë pozicion, pavarësisht shkallës së vështirësisë.

Ai shpreson që të arrijë synimet që ka me këtë skuadër, ndërkohë që Beqiri analizoi me kujdes edhe ecurinë e skuadrës së tij në përgjithësi dhe objektivat që ka me Tërbunin.

“Me Turbinën është një ndeshje shumë e rëndësishme, për të mbajtur pozicionin e play-off për ekipin tonë. Kemi besim se do ta mbajmë deri në fund këtë pozicion, pavarësisht shkallës së vështirësisë që kemi në këto tre ndeshjet e fundit.

Problemi në fazën sulmuese është një problem, që po e kemi që në fillim të sezonit dhe po na shoqëron akoma. Kemi probleme qetësie në finalizim, sepse kemi shpërdoruar shumë, por duhet patjetër edhe pjesa tjetër e ekipit, që të bëjnë më shumë, si në shërbim të sulmueseve, poashtu edhe në iniciativat për të shënuar.

Sigurisht që, jemi brenda objektivave, por e thashë që duhet shumë përqëndrim për ta ruajtur këtë objektiv. Mendoj se nuk ka shumë diferenca me atë që ekipi jonë, ka shfaqur kundër ekipeve pretendente për t’u ngjitur në elitën e Superiores. Mendoj dhe shpresoj se do jemi një ndër ekipet, që do marrim pjesë në play-off”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Tërbunit, Elvin Beqiri.
Maringlen ZHIVANI