Esin Hakaj ishte në sezonin e kaluar pjesë e Partizanit, por më pas u rikthye te Vllaznia, duke shpresuar që të arrinte me fanellën e skuadrës së vendlindjes atë që s’bëri dot me të kuqtë. Për mbrojtësin e majtë, kalimi në finalen e Kupës i ka dhënë ekipit një tjetër shtysë për vazhdimësinë në kampionat, ku i duhet të sigurojë vendin e katërt. Ai është i bindur se Vllaznia në këtë përballje të sotme ndaj Partizanit ka vetëm një synim: tri pikët.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne jemi përgatitur që të bëjmë më të mirën dhe të fitojmë ndaj Partizanit”, ka thënë fillimisht Hakaj, ndërsa tregoi më pas se ku ndryshon kjo ndeshje nga ajo e Kupës. “Jemi në një finale të cilët mund ta fitojmë.

Është një trofe që në kampionat na iku si mundësi. Por, nëse arrijmë që ta fitojmë kupën, do të mbyllim më së miri sezonin”. I ngacmuar nga gazetarët në konferencën për mediat, Hakaj foli edhe për formën që po kalon: “Çdo gjë ka qenë mirë. Jam në një gjendje optimale dhe shpresoj e besoj të vazhdoj kështu”.

Vllaznia dhe Partizani ishin dy ekipe që e nisën sezonin për titull, por dështuan rrugës. Për këtë Hakaj e ka një përgjigje: “Partizani ka pasur ndryshime në ekip dhe kjo pa dyshim ka ndikimin e vet.

Ndërsa te Vllaznia mund të them se kalimi në finalen e Kupës na ka dhënë një shtysë më shumë që të kërkojmë edhe Europën përmes kampionatit. Por për këtë duhet që sot të arrijmë një fitore dhe më pas të shikojmë përpara për takimet e tjera”. Në fund mbrojtësi i majtë bëri një apel edhe për tifozët:

“U bëj thirrje tifozëve të jenë në stadium. Ata janë një mbështetje e madhe për ne, ashtu siç e treguan edhe në Kupë”.