Vioresin Sinani, ish-kapiteni i Vllaznisë dhe goleadori më i mirë në historinë e klubit, e quan të suksesshëm sezonin e kuqebluve, nëse ata do të fitojnë Kupën. Ai u shpreh se Vllaznia do ta fitojë Kupën, pasi ekipi ka lojtarë të mirë në kontigjentin e tij.

Në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport”, Sinani mendon se Vllaznia fiton në përballjen ndaj Partizanit, ndërsa theksoi se në javët e fundit lojtarët kryesorë të ekipit shkodran, do ta marrin ekipin për dore dhe do ta dërgojnë aty ku e meriton, duke nisur nga ndeshja e sotshme.

“Unë besoj shumë që Vllaznia e këtij sezoni do të fitojë Kupën dhe me fitoren e Kupës, do të quhet një sezon i suksesshëm. Ekipi besoj se ka lojtarë mjaft të mirë në kontigjentin e vet, që këto javët e fundit të sezonit do të marrin ekipin për dore dhe jam i bindur që do ta çojnë aty ku e meriton, duke nisur nga ndeshja me Partizanin, ku jam i mendimit se do ta fitojmë këtë ndeshje.

Vllaznia është në finale me ekipin e Laçit dhe besoj shumë që Vllaznia do të fitojë Kupën. Duke fituar Kupën, jam i bindur se do të quhet një sezon i suksesshëm.

Largimi i Brdariç? Ato janë marrëdhëniet e trajnerit me klubin dhe janë pjesë që i zgjidhin palët njëri me tjetrin.

Për vendosjen e Plorit, unë mendoj se Plori do të bëjë më të mirën deri në fund dhe jam i bindur që deri në fund, do të ketë sukses”,-mbylli prononcimin e tij, ish-goleadori i Vllaznisë, Vioresin Sinani.
Maringlen ZHIVANI