Në ndeshjen ndaj njërit prej rivalëve kryesorë- Teutës, Vllaznia ka dominuar dhe nuk e ka vënë për asnjë moment në dyshim fitoren. Kështu mendon kapiteni i saj Erdenis Gurishta i cili ka qenë i ftuar në emisionin “Star Sport” dhe në lidhje me këtë ndeshje është shprehur:

“E kishim menduar një kundërshtar më të fortë Teutën sepse edhe në ndeshjen e fazës së parë në Durrës na kishte vënë në vështirësi, por këtë herë ishte ndryshe dhe ne e dominuam nga minuta e parë deri tek e fundit. Edhe pas kartonit të kuq kemi vazhduar të sulmojmë dhe kemi patur mundësi edhe të shënojmë sërish”.

Kapiteni Gurishta ndërkohë “ka dalë me pasoja” nga sfida me durrsakët sepse është ndëshkuar me karton të verdhë dhe nuk do të luajë në takimin e rradhës me Kukësin. Megjithatë vetë ai mendon se kjo nuk do të ndikojë tek objektivi i skuadrës për ta fituar ndeshjen.

Fatkeqësisht u ndëshkova me karton në minutat e fundit ndaj Teutës duke plotësuar numrin 4 të tyre dhe si rrjedhojë do të mungoj në takimin ndaj Kukësit. Sigurisht që do të doja të isha në fushë në një ndeshje të tillë kaq të rëndësishme, për më tepër ndaj njërës prej skuadrave që na mundur këtë sezon.

“Kisha shumë dëshirë të luaja në këtë ndeshje dhe në njëfarë mënyrë të hakmerreshim me një fitore ndaj kësaj skuadre. Megjithatë unë mendoj se Vllaznia nuk do ta ketë problem as mungesën time dhe as të Ardit Hoxhajt sepse Vllaznia ka grupin.

Deri më tani asnjëherë nuk jemi marrë me mungesat ndonëse në të gjitha ndeshjet e deritanishme kemi patur një apo dy mungesa, por ato janë zëvendësuar me lojtarë të tjerë që kanë dhënë më të mirën e tyre. Besoj se edhe këtë javë nuk do të jenë problem mungesat. Jam i bindur se edhe ndaj Kukësit Vllaznia do të futet në fushë me objektivin e vetëm për ta fituar ndeshjen”- është shprehur Gurishta./SHKODRA-SPORT.COM/