Erdenis Gurishta, kapiteni i Vllaznisë ka folur në prag të ndeshjes kundër Bylis. Vllaznia udhëton për në Ballsh, aty ku nesër në 13:45 ka një ndeshje delikate me vendasit. Gurishta rikthehet nga pezullimi, duke qenë gati për trajnerin Brdaric.

Kapiteni ka komplimetuar Krujën për rolin e mbrojtësit të djathtë në ndeshjen e fituar me Kukësin, ndërsa ia ka frikën Bylis dhe fushës së saj, që mund të jetë një favor për mallakastriotët. Numri 2 kërkon përqëndrim, duke vlerësuar kundërshtarin.

“E kam lënë pezullimin pas dhe jam i lumtur që jam rikthyer, siç isha i lumtur për ndeshjen që zhvilluam ndaj Kukësit. Kruja e bëri shumë mirë rolin e mbrojtësit të djathtë. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës.

Bylis? Nuk duhet parë klasifikimi, nuk është skuadra e sezonit të kaluar por Bylis është shumë agresiv në fushën e vet. Do jetë e vështirë, ata kanë në favor fushën që nuk ka nivel si e jona apo edhe ajo e Elbasanit. Të marrim masat dhe të shkojmë atje vetëm për tri pikë.

Goli i parë këtë sezon? Shpresoj që të vijë edhe goli im i parë këtë sezon. Pak rëndësi ka kush shënon te Vllaznia, rëndësi ka të fitojë ekipi”, tha Gurishta.