Erdenis Gurishta, ish-kapiten i Vllaznisë, uron me shpirt që Bekim Balaj, kapiteni aktual i kuqebluve, të ngrejë lart trofeun e kampionit të Superiores më 26 maj. Një trofe, që sipas tij, qyteti dhe tifozët shkodranë e meritojnë. Por para 26 majit është sfida me Egnatian në gjysmëfinale, ku Vllaznia duhet të fitojë patjetër për të qenë finaliste.

Gurishta, në një intervistë për “Panorama Sport”, analizon këtë ndeshje, duke evidentuar favoret e dy skuadrave. Ai beson shumë se kuqeblutë, të udhëhequr nga trajneri Thomas Brdariç, do të tregojnë vlerat më të mira në “Air Albania”. Këshilla e ish kapitenit është që skuadra të ketë durim për të shkuar te goli.

“Ashtu si Egnatia, edhe Partizani pa diskutim që janë ekipe shumë të forta dhe me meritë janë aty ku janë. Preferenca ime si ish-lojtar i Vllaznisë ishte që shorti të binte pikërisht kundër Egnatias, siç ra. Mendoj se duhet falënderuar patjetër ish-trajneri Osmani për punën e mirë dhe ndikimin që pati në ekip.

Ai e mori Vlalzninë në vështirësi të mëdha dhe e çoi aty ku të gjithë ndoshta nuk e prisnin. Për ardhjen pastaj të trajnerit Thomas Brdariç mendoj se është lëvizja e duhur, sepse ai e njeh mjaft mirë ambientin shkodran, njeh kampionatin shqiptar dhe mbi të gjitha ka rikthyer suksesin pas shumë vitesh te Vllaznia.

Egnatia-Vllaznia është ndeshja që është luajtur më shumë këtë sezon, në kampionat dhe kupë. Të gjitha ndeshjet kane qenë të luftuara dhe plot rivalitet. Pa diskutim që edhe këtë herë do të jetë shumë e fortë dhe mendoj se detajet do të bëjnë diferencën. Unë i shikoj të dyja skuadrat me nga një avantazh për këtë sfidë: Egnatia luan për dy rezultate dhe padyshim që është një favor i rëndësishëm, ndërsa Vllaznia ka favor të madh tifozërinë. Jam i sigurt që Vllaznia do të ndjehet si në stadiumin “Loro Boriçi” edhe në “Air Albania” dhe kjo gjë besoj se do ta ndihmojë jo pak.

Janë shumë vite pa titullin kampion në Shkodër dhe mendoj se është viti i duhur për ta rikthyer. Shkodra dhe tifozëria shkodrane e meritojnë titullin kampion. Çdo gjë do ta tregojë fusha, kam besim se skuadra do të tregojë vlerat e saj më të mira. Të kesh një djalë si Bekimi në ekip, është vërtet një bekim. E uroj me gjithë shpirt që ai të ngrejë trofeun e kampionit. Nëse Bekimi arrin të ngrejë trofeun e titullit kampion, do të isha njësoj i lumtur sikur të isha unë kapiten i ekipit. Shpresojmë”- është shprehur ai.