Sezonin e kaluar ka qenë “zbulimi” I Vllaznisë. Me golat por më së shumti me lojën e zhvilluar. Në këtë të dytin, ka hasur jo pak probleme. Sidomos në fazën e parë ndërsa në të dytën, me ardhjen e trajnerit Bushati gjërat ndryshuan. E kemi fjalën për Arsen Hajdarin, mesfushorin 24 vjeçar të kuqebluve. Duke folur për “Gazetën e Sportit”, ai “do fajësonte” në njëfarë mënyre idetë e ish-trajnerit Duro për ta vendosur në një pozicion jo të përshtatshëm për të. “Faza e parë e sezonit që lamë pas ka dhuruar dy momente për mua. Atë të parin e fazës së parë ku unë nuk arrita dot të shfaqë asnjë nga vlerat e mia dhe atë të dytin e fazës së dytë ku unë tregova se di të luaj ashtu si sezonin e kaluar.
Çdo gjë ka qenë e lidhur me pozicionet në të cilët më kanë vendosur në fushë trajnerët. Duro preferonte që unë të luaja si mesfushor krahu por me shumë detyra mbrojtëse. Kjo nuk ishte në mënyrën time të të luajturit dhe prandaj hasa jo pak vështirësi. Për këtë arsye, gjatë gjithë ndeshjeve të kësaj faze, unë jo vetëm që nuk shënova asnjë gol por edhe nuk u shpreha ashtu siç duhet në fushë. Krejt ndryshe me ardhjen e trajnerit Bushati. Ai që në fillim në spostoi më përpara duke qenë që unë të luaja si mesfushor I avancuar dhe këtu “u çlirova”. Gjeta vetëveten, shënova edhe gola në ndeshjet e para të fazës së dytë dhe deri diku jam I kënaqur me atë se çfarë bëra në fushë. Për këtë arsye, nëse do të ishte në dorën time, do ta kisha harruar krejtësisht fazën e parë megjithatë ky është futbolli, duhet të mësohem edhe me vështirësitë”- ka thënë Hajdari. Por vështirësitë për këtë futbollist, në të dytin sezon të tij në Superligë, kanë ardhur edhe në një drejtim tjetër e këtë ai e përmend vetë kur shton: “Të mos harrojmë se nuk ka qenë njëlloj si një sezon më parë. Në atë sezon rashë në sy edhe sepse kundërshtarët ndoshta nuk më njihnin shumë dhe kisha më tepër hapësira në lojë. Këtë sezon ishte ndryshe. Trajnerët kundërshtarë jepnin detyra të qarta për futbollistë të caktuar për të më markuar në çdo cep të fushës. Po ashtu edhe presioni I ambjenti sportiv ka qenë më I madh megjithatë duke folur në tërësi, mendoj se e kam fituar edhe këtë betejë”. Vllaznia e sezonit 2012-13 ashtu si dhe vetë Hajdari, ka kaluar një periudhë me oshilacione jo të pakta. Gjendja e saj ka ndikuar edhe tek futbollistët apo dhe anasjelltas. Me vendin e gjashtë në të cilin u rendit skuadra në fund të tij, shumë vetë kanë qenë të pakënaqur. Të tjerë mbase kanë qenë të kënaqur me peripecitë në të cilat kaloi skuadra e cila në janar të këtij viti pse jo, rrezikohej edhe për të rënë nga kategoria. I pyetur për këtë pozicionim të kësaj skuadre, njëri nga lojtarët më të mirë të kuqebluve- Arsen Hajdari do thoshte: “Me vendin e gjashtë shkodranët sigurisht që nuk mund të gëzohen sepse kërkesat e tyre janë për të parë gjithmonë një Vllazni pretendente. Megjithatë nisur nga oshilacionet që skuadra tregoi sidomos në fazën e parë, kryesisht në ndeshjet jashtë apo dhe me eliminimin nga kupa, ato dhanë efektin e vet. Në fazën e dytë gjërat ndryshuan dhe mbase prej kësaj duhet të gëzohemi me vendin e gjashtë në renditje sepse mund të kishim qenë edhe më keq”. Sakaq ky sezon tashmë është lënë pas. Kjo është periudha e zakonshme e analizave dhe si e tillë, secili jep mendimin e tij. Megjithatë flet edhe për të ardhmen dhe se si dëshiron ta shohë Vllazninë. Për të flet edhe mesfushori I saj Hajdari që në fund të prononcimit të tij do të deklaronte: “Dëshira ime por besoj edhe e çdo shkodrani është që Vllaznia e sezonit të ardhshëm të jetë një ekip me lojtarë cilësorë dhe kësisoj të jemi pretendent. Nëse në skuadër vijnë lojtarë me cilësi të mira, do jetë më e lehtë edhe për ne futbollistët aktualë të saj sepse do na ndihmojnë të shprehemi më mirë në fushë”.
Gjergj KOLA
“Kontrata? Kam edhe një vit me Vllazninë por…”
Arsen Hajdari nuk hyn në listën e lojtarëve të Vllaznisë që u ka mbaruar kontrata dhe janë të lirë të vendosin për të ardhmen e tyre. Ai vitin e kaluar pat firmosur një kontratë dyvjeçare me skuadrën e qytetit të tij dh për rrjedhojë do jetë pjesë e saj edhe në sezonin 2013-14. Por ditët e fundit në adresë të tij ka patur sinjale të vogla për lëvizje në ndonjë skuadër jashtë vendit. Vetë lojtari nuk ka dëshirë të merret shumë me to por duket shumë I përqendruar tek Vllaznia. “Unë jam nën kontratë me Vllazninë edhe për sezonin e ri. Natyrisht që kam disa kontakte të vogla me ndonjë skuadër jashtë vendit megjithatë nuk e kam ndër mend t’I kushtojë shumë rëndësi në këto momente përderisa nuk ka një ofertë zyrtare. Sigurisht që nëse do kishte një të tillë, unë do ta shqyrtoja me kujdes pasi dëshira ime është të provoj veten edhe në një kampionat tjetër megjithatë nuk jam duke e mbajtur shumë mendjen aty. Në ditën e parë të stërvitjes së Vllaznisë do jem present për të nisur sezonin tim të tretë me të. I pari mendoj se ishte I shkëlqyer, I dyti me oshilacione dhe prandaj do të përgatitem seriozisht që I treti të jetë sezoni I konfirmimit tim të plotë”- ka thënë 24 vjeçari shkodran.
Hajdari lojtari që erdhi nga Ada dhe u bë lojtari-kyç I Vllaznisë
Nëse sot flasim për një lojtar të rëndësishëm të Vllaznisë, nuk ka qenë I tillë dy sezone më parë. Arsen Hajdari ka luajtur tre sezone me Adën, aty ku ra në sy dhe pastaj erdhi mundësia e provës tek kuqeblutë. I federuar “in extremis” një sezon më parë, ai me ardhjen e trajnerit Vata filloi të spikasë dhe u shndërruar në “zbulimin” e Vllaznisë për atë sezon. Shumëkush mendoi se ishte thjesht një shkëndijë e këtij futbollisti dhe ai nuk do të përsëriste një sezon të dytë të tillë. Në fakt, në fazën e parë të sezonit që sapo përfundoi, ai nuk ka paraqitur asnjë nga ato vlera, çka linte vend për plotësimin e atyre dyshimeve. Megjithatë gjërat ndryshuan në fazën e dytë dhe në skenë doli sërish Arsen Hajdari, lojtari I shpërthimeve dhe I driblimeve në krahun e majtë, apo dhe autori I golave mjaft të bukur. Kjo është historia e këtij futbollisti që erdhi nga Ada dy sezone më parë për t’u shndërruar në lojtarin- kyç të Vllaznisë.