Hakan Calhanoglu, ia ka dalë mjaft mirë në rolin e “regjizorit” që trajneri Simone Inzaghi ia besoi për herë të parë në karrierë. Turku është shndërruar në një nga më të mirët në atë rol duke fituar elozhe dhe shumë klube të mëdha që e kanë në qendër të vëmendjes. Së fundmi, Calhanoglu zbuloi se për rolin e “regjizorit” në fushë studion emra si Lampard, Gerrard dhe Xabi Alonso.

“Ideja për t’u vendosur në rolin e “regjizorit” i erdhi trajnerit Inzaghi në momentin që u dëmtua Brozovic. Ndeshja ime e parë në këtë rol ishte ajo ndaj Barcelonës në të cilën fituam 1-0.

Nga ajo sfidë lindi gjithçka dhe unë nisa të luaja vazhdimisht në këtë rol, tani ndihem shumë mirë në atë pjesë të fushës dhe mendoj se jam rritur shumë.

Kam mësuar nga vetvetja, edhe pse kam vëzhguar shumë lojtarë që kanë luajtur në qendër të mesfushës si Pirlo. Edhe pse ndoshta Pirlo nuk mbronte aq sa mbroj unë, prandaj kam studiuar edhe modele si Gerrard, Lampard apo Xabi Alonso. Mësoj nga të gjithë, edhe pse në fund dua që të shfaqem thjesht si vetvetja”, u shpreh Calhanoglu.